KUSHTET E PËRGJITHSHME PËR PASAGJERËT DHE MJETET SHOQËRUESE ME DATËN 01/04/2012

ASPEKTE TË PËRGJITHSHME: Shoqëria AFH Sh.p.a. (tani e tutje, vetëm Shoqëria) merr përsipër transportimin e personave, të bagazheve të tyre dhe të automjeteve shoqëruese, në përputhje me Kushtet e Përgjithshme në vijim, të cilat konsiderohen të njohura dhe të pranuara nga kushdo që blen ose përdor biletat e udhëtimit të Shoqërisë. Për sa u përket rrethanave që nuk përfshihen në Kushtet e Përgjithshme, transportimi i personave, i bagazheve të tyre dhe automjeteve shoqëruese disiplinohet ekskluzivisht nga ligji italian dhe konventat ndërkombëtare, për çështjet e ratifikuara e që kanë fuqi ekzekutive në Itali. Rrjedhimisht, përgjegjësia përkatëse e AFH Sh.p.a. në lidhje me dëmet e shkaktuara kundrejt personave dhe për dëmtimin dhe/ose humbjen e bagazheve dhe automjeteve, varet nga limitet e parashikuara nga ligji italian dhe nga konventat ndërkombëtare për çështjet e ratifikuara e që kanë fuqi ekzekutive në Itali.

VLEFSHMËRIA: bileta është personale, nuk transferohet te dikush tjetër dhe është e vlefshme vetëm për transportin e specifikuar në të. Pasagjeri është i detyruar ta ruajë me kujdes kontratë/biletën për të justifikuar të drejtën e tij për të udhëtuar si dhe ta paraqesë te çdo Oficer i Anijes ose funksionar i Shoqërisë që ia kërkon atë. Pasagjeri pa biletë duhet të lajmërojë menjëherë Komandantin dhe/ose Komisarin e Bordit. Përndryshe është i detyruar të paguajë dyfishin e çmimit të udhëtimit deri në portin e destinacionit, përveç dëmshpërblimit për dëmet përkatëse.

ÇMIMET E UDHËTIMIT: Çmimi i treguar në biletën e udhëtimit është ai i tarifës së transportuesit që është në fuqi në datën e prerjes së biletës. Çmimet e biletave përfshijnë transportin detar. Nuk përfshijnë shpenzimet e anulimit të udhëtimit, as shpenzimet për rezervimin ose ndryshimin e biletës, që mund të kërkohen nga Agjencitë e Udhëtimit apo agjencitë e Shoqërisë. Vaktet e bukës nuk janë të përfshira në çmimin e biletës. Pagesa e tyre bëhet direkt në bord. Të drejtat, shpenzimet dhe honorarët për imbarkimin dhe zbarkimin e pasagjerëve dhe të automjeteve shoqëruese, që nuk janë të përfshira në çmimin e udhëtimit, do të rregullohen me anën e një zëri të veçantë, në të njëjtën biletë.

ZBRITJET: Zbritjet e çmimit të biletës së udhëtimit duhet të kërkohen nga personat që kanë të drejtë ta kërkojnë, përpara prerjes së biletës dhe pasi të paraqesin një dokument të vlefshëm që e vërteton këtë të drejtë. Uljet e çmimit, të ujdisura nga Shoqëria, publikohen në broshurat informative që shpërndahen periodikisht dhe në faqen e internetit të Shoqërisë.

BILETAT ME DATË TË HAPUR: Biletat me datë të hapur janë të vlefshme për gjashtë muaj nga data e prerjes së biletës. Rezervimi dhe caktimi i vendit përkatës në bord për datën e dëshiruar, sidomos gjatë periudhës së sezonit turistik, duhet të kërkohet brenda një kohe të mjaftueshme përpara nisjes. Sidoqoftë, imbarkimi varet nga vendet e disponueshme në bord. Pasagjerët janë të detyruar të paguajnë, në momentin e imbarkimit, diferencat e mundshme të tarifës.

BILETAT E HUMBURA: Humbja ose vjedhja e titullit të udhëtimit (biletës) duhet t’i komunikohet menjëherë Agjencive Portuale, të cilat do të marrin masa për pezullimin e saj. Ne rast vjedhjeje, pasagjeri, ditën e nisjes, do të marrë tek stacioni i imbarkimit e duke paraqitur denoncimin e bërë te Autoritetet përkatëse, një dublikatë të titullit të udhëtimit (biletës) pa ndonjë pagesë shtesë të tarifës. Në rast se pasagjeri, pas vjedhjes, heq dorë nga udhëtimi, rimbursimi i biletës duhet t’i kërkohet shoqërisë brenda një afati prej 180 ditësh, përndryshe humb të drejtën e rimbursimit. Në rast se pasagjeri e humbet biletën, në ditën e nisjes, duke paguar shumën e plotë të çmimit të biletës, do të ketë mundësi të marrë, pranë stacionit të imbarkimit, një dublikatë të biletës origjinale dhe mund të përdorë të njëjtin sistemin që i është caktuar në biletën e parë. Pasi të kalojë një periudhë prej 180 ditësh, gjatë të cilës bileta e humbur rezulton e papërdorur, Shoqëria do të bëjë rimbursimin e biletës.

ANULIMET, DEKLASIMET E RIMBURSIMET: Anulimi dhe deklasimi i një bilete me vend të fiksuar do ti nënshtrohen sanksioneve të mëposhtme:

  • duke filluar një ditë pas datës së prerjes së biletës e deri në 7 ditë përpara nisjes, do të aplikohet një sanksion prej 10% mbi çmimin e biletës;
  • nga 6 ditë deri në ditën përpara nisjes: do të aplikohet një sanksion prej 25% mbi çmimin e biletës;
  • ditën e nisjes: do të aplikohet një sanksion prej 50% të çmimit të biletës.

Pasagjerët që, duke mos kryer paraprakisht anulimin e udhëtimit, nuk paraqiten për imbarkim ose që nuk hipin në bordin e anijes së parashikuar dhe të caktuar në kartën e imbarkimit, nuk kanë të drejtë rimbursimi, as të pjesshëm, të çmimit të paguar dhe përkundrazi duhet të plotësojnë pagesën e diferencës së çmimit të udhëtimit në rast se nuk e kanë paguar plotësisht. Ndalesat e lartpërmendura aplikohen mbi totalin e tarifave të Pasagjerëve, automjeteve të rezervuara dhe të shtesave të tjera të taksave. Data dhe ora e anulimit duhet të shënohen në biletë nga Shoqëria ose nga Agjencia e udhëtimit që ka lëshuar biletën. Llogaritja e afateve fillon nga dita pas datës së anulimit dhe përfshin datën e nisjes. Nuk u takon asnjë rimbursim atyre që heqin dorë ose anulojnë më pak se dy orë para nisjes së parashikuar, atyre që nuk paraqiten në kohën e duhur për imbarkim pa i dhënë komunikimin paraprak Shoqërisë, për rastet e njërës prej rrethanave të parashikuara nga neni 400 kod. detar, ose ata që komunikojnë anulime të pjesshme vetëm në çastin e check-in-it për imbarkim. Në rastin e anulimit të një bilete e cila është modifikuar më përpara, do të aplikohet sanksioni më i rëndë në bazë të datës kur janë bërë modifikimet. Rimbursimet do të kryhen në vendin ku është prerë bileta, nëpërmjet zyrës që e ka lëshuar, me kusht që data e anulimit të rezultojë e regjistruar në procedurën telematike ose të jetë konfirmuar me shkrim, me vulën dhe firmën e përgjegjësit, nga zyra e portit të imbarkimit. Biletat e kthimit me “datë të hapur” mund të rimbursohen brenda afatit të vlefshmërisë së tyre, me një sanksion prej 10%.

CHECK-IN DHE IMBARKIM: Oraret dhe itineraret e treguara në broshurat ilustruese janë orientuese dhe mund të jenë objekt ndryshimesh; përpara se të paraqiten për imbarkim, pasagjeret janë të ftuar të kontrollojnë oraret dhe itineraret e udhëtimit që kanë zgjedhur te zyra ose agjencitë e Shoqërisë, ose në faqen e internetit të Shoqërisë. Shoqëria, në rast nevoje objektive dhe/ose force madhore, ka tagër që të pezullojë nisjen e shpallur, të shtojë ose të heqë ndalesa; ta nisë udhëtimin nga një port i ndryshëm nga ai që ka vendosur, ta caktojë anijen për një linjë tjetër, të çojë përpara ose të shtyjë datën e nisjes. Në rast se nisja vonohet për më shumë se 12 orë, nga orari i caktuar, Pasagjeri ka të drejtë të zgjidhë kontratën dhe të përfitojë rimbursimin e çmimit përkatës për udhëtimin që nuk ka shfrytëzuar, duke hequr përqindjen e shpërblimit të agjencisë. Komandanti, në rastet e parashikuara nga Kodi detar dhe në rast nevoje objektive dhe/ose force madhore, ka tagër të plotë që të procedojë pa pilot, të rimorkiojë dhe t’i ofrojë asistencë anijeve të tjera në çdo rrethanë, të devijojë kursin e zakonshëm në çdo drejtim, për çdo distancë dhe për çdo qëllim që lidhet me detyrat e tij si Komandant, siç parashikohet nga Kodi detar dhe Konventat ndërkombëtare, kështu që mund të hyjë, si përpara ashtu edhe pas nisjes, në çdo port ose porte që gjenden ose jo në itinerarin e anijes edhe pse në drejtim të kundërt ose përtej kursit të zakonshëm, si duke u kthyer prapa ashtu edhe duke avancuar sipas çdolloj rregulli dhe me çfarëdolloj qëllimi, një ose më shumë herë, të transferojë Pasagjerin ose automjetin në çfarëdolloj anije tjetër ose mjet transporti që i përket ose jo Shoqërisë, që drejtohet në portin e destinacionit. Oraret e nisjes dhe të arritjes që paraqiten nga Shoqëria nënkuptohen “pilot/pilot”. Orari i mbërritjes, kur është i specifikuar në biletë ose i komunikuar nga Shoqëria ose punonjësit e saj, është vetëm orientues dhe transportuesi nuk përgjigjet për vonesat e mundshme, për shkaqe aksidentale ose forcë madhore; më saktësisht transportuesi nuk mban asnjë përgjegjësi për dëmet që i shkaktohen Pasagjerit për shkak të vonesës ose të mungesës së transportimit nëse ngjarja ndodh si rrjedhojë e shkaqeve aksidentale, të forcës madhore, kushteve meteorologjike-detare jo të favorshme, grevave dhe defekteve teknike që përbëjnë forcën madhore ose shkaqe të tjera që nuk i atribuohen atij dhe në çdo rast në përputhje me dispozitat e neneve 402, 403, 404, 408 të Kodit detar. Pasagjerët e pajisur me biletë nuk duhet të imbarkohen menjëherë, por më përpara duhet të prezantohen në stacionin detar të imbarkimit të paktën tre orë përpara nisjes (e vlefshme edhe për grupet): pasi të kalojë ky afat Shoqëria ka të drejtë të anulojë rezervimet përkatëse dhe të pranojë pasagjerët e tjerë në pritje. Pasagjerëve do t’u dorëzohet karta e imbarkimit e cila do të miratohet për imbarkimin nga zyra e Policisë Kufitare. Pasagjerët duhet të jenë të pajisur me pasaportë ose me ndonjë dokument tjetër identifikimi, me vizat dhe certifikatat ndërkombëtare të vaksinave që mund të kërkohen. Shoqëria nuk mban përgjegjësi në rast mos nisjeje për shkak të dokumenteve jo të vlefshëm për jashtë shtetit, prandaj nuk parashikohet asnjë rimbursim.

IMBARKIMI DHE ZBARKIMI I AUTOMJETEVE: Të gjitha automjetet duhet të konsiderohen “jo të përshtatshëm për transport mallrash”. Gjatësia e mjeteve do të llogaritet me të gjitha zgjatjet që dalin jashtë shasisë, d.m.th duke përfshirë ganxhat e rimorkimit, timonët ose ndonjë gjë tjetër. Kamper, rulotë, fuoristradë ose mjetet me lartësi më të madhe se 1.80 m. nga toka duhet të sinjalizohen në momentin e rezervimit dhe duhet të rezultojnë në biletë. Mos respektimi i normave të mësipërme mund të shkaktojë anulimin e rezervimit dhe si rezultat mungesën e imbarkimit, regjistrimin automatik në listën e pritjes ditore, dhe imbarkimi në anije do të autorizohet vetëm me kusht që në garazhin e anijes të ketë hapësirë të disponueshme dhe vetëm pasi të jetë paguar diferenca tarifore. Mjetet do të thirren për imbarkim sipas rregullit që do të vendoset nga Komandanti i anijes dhe/ose nga ndihmësit dhe punonjësit e tij. Operacionet e imbarkimit të automjeteve, duke përfshirë sistemimin e tyre në vendin e caktuar në bord (çdo automjet duhet të parkohet me motor dhe drita të fikura, e përveç kësaj me frenin e dorës të ngritur dhe me marshin e ingranuar), operacionet e zbarkimit duke përfshirë transferimin e mundshëm të automjetit nga vendi i parkimit në anije dhe /ose transferimin e mundshëm të automjetit nga anija në vendin e parkimit, duhet të kryhen gjithmonë nën kujdesin, rrezikun dhe përgjegjësinë ekskluzive të Pasagjerit, edhe në rast se këshillat e manovrimit janë marrë nga personeli i bordit, me përjashtim të rastit kur mund të provohet defekti i gjendjes së vendeve/anijes. Pasagjeri mban përgjegjësi ekskluzivisht për dëmtimet e mundshme të mjetit të tij, të mallrave dhe bagazheve të mbartura aty, për dëmet personale ose të personave që gjenden në automjet. Pasagjeri ka gjithashtu përgjegjësi të plotë edhe për dëmet që u shkaktohen palëve të treta, automjeteve, mallrave dhe bagazheve të tyre. Automjeti, përfshirë rimorkion dhe/ose rulotën e mundshme, me çdo gjë që ka brenda, pranohet nga transportuesi si një njësi e vetme ngarkimi, pa deklarim vlere. Për këtë arsye papërgjegjësitë e mundshme të transportuesit për humbje dhe/ose dëmtime të automjetit nuk mund të tejkalojnë limitin sipas nenit 423 k.d., me përjashtim të rasteve kur përgjegjësia ndodh për shkelje me dashje ose faje të rënda. Pasagjeri që ka dëshirë të deklarojë vlerën e automjetit shoqërues, duhet ta formalizojë atë me shkrim përpara rezervimit; çmimi i transportimit të automjetit do të vendoset në bazë të vlerës së deklaruar.

NORMAT QË DUHEN RESPEKTUAR NGA PASAGJERI: Pasagjeri duhet të respektojë përshkrimet e ligjeve italiane dhe të huaja e përveç kësaj edhe rregulloren e Shoqërisë për sa i përket kontratës së udhëtimit. Përveç kësaj, pasagjeri është përgjegjës direkt kundrejt Shoqërisë për të gjitha shkeljet, abuzimet, gjobat e shpenzimet të cilat, për shkak të tij, Shoqëria detyrohet t’i nënshtrohet autoriteteve portuale, doganore, shëndetësore dhe/ose çdo autoritet tjetër të çdo shteti. Konsiderohet i ditur fakti që të miturit duhet të mbikëqyren nga prindërit dhe/ose personat përkatës dhe nuk mund të qarkullojnë nëpër anije të pashoqëruar. Në rast emergjence Pasagjerët duhet të vihen në dispozicion të Komandantit dhe të Oficerëve të anijes dhe duhet të ndjekin në mënyrë të disiplinuar urdhrat dhe këshillat që do të marrin. Pasagjerët kanë detyrë të verifikojnë, me shpenzimet e tyre, përpara imbarkimit, vlefshmërinë e dokumenteve të tyre tek Autoritetet e Policisë përkatëse, me qëllim që të sigurohen për dokumentet e tyre që duhet të rezultojnë të vlefshme për hyrjen në shtetin e zbarkimit. Shoqëria nuk do të rimbursojë Pasagjerët që nuk janë të autorizuar nga policia kufitare për imbarkimin ose zbarkimin, kur ata gjenden me dokumente jo të vlefshme për udhëtim jashtë shtetit; shoqëria rezervon të drejtën për kosto dhe/ose sanksione të mundshme kundrejt Pasagjerit, në rast se do të ketë pasoja për shkak të rrethanave të mësipërme.

KUSHTET SANITARE TË PASAGJERIT: Komandanti ka të drejtë të refuzojë udhëtimin për këdo që, sipas gjykimit të Shoqërisë, gjendet në kushte fizike dhe psikike të tilla që nuk mund t’i lejojnë përballimin e udhëtimit, ose për këdo që rezulton i rrezikshëm për Pasagjerët e tjerë, për shkak të abuzimit të lëndëve narkotike, halucinogjenëve, alkoolit, sëmundjeve ose të ndonjë paaftësie të rëndë. Në rastet e mësipërme, Pasagjeri nuk ka të drejtë dëmshpërblimi dhe ai vetë është përgjegjës për dëmet që i shkakton anijes, objekteve dhe pajisjeve të saj, palëve të treta e madje edhe sendeve të palëve të treta. Pranimi i Pasagjerit në bord nga ana e Shoqërisë nuk duhet të konsiderohet si heqje dorë nga çdo e drejtë e tij për të mbrojtur më vonë rezervat e tij në lidhje me kushtet e Pasagjerit, pavarësisht nëse janë të njohura apo jo nga Shoqëria në momentin e imbarkimit dhe/ose nisjes së anijes. Në rast se gjendja e pasagjerit e sipërpërmendur do të konstatohet gjatë udhëtimit, komandanti i anijes do të marrë masat e parashikuara nga ligji.

GRATË SHTATZËNA: Duke qenë se anijet nuk janë të pajisura me mjetet e duhura për asistencë ndaj grave shtatzëna e për të përballuar lindjet, nuk do të pranohet imbarkimi i pasagjereve që në datën e udhëtimit kanë përfunduar javën e 24-t të shtatzënisë. Pasagjeret në gjendje shtatzënie që nuk kanë përfunduar javën e 24-t të shtatzënisë mund të imbarkohen vetëm pasi të kenë komunikuar me shkrim gjendjen e tyre në bord dhe duke paraqitur certifikatën mjekësore të lëshuar jo me tepër se 72 orë përpara nisjes që autorizon shprehimisht udhëtimin, e cila do të dorëzohet detyrimisht te oficeri i anijes. Imbarkimi nënkupton nga ana e pasagjeres pranimin e rreziqeve që kanë lidhje me mungesën e asistencës në bord (të tipit të specializuar), dhe të strukturave të përshtatshme për të përballuar urgjencat e mundshme që lidhen me kushtet e shtatzënisë, si edhe të veçorive të transportit me rrugë detare që sjellin si rrjedhim vështirësi për të pasur ndihmë nga jashtë anijes, e kjo gjë ka si pasojë marrjen e përgjegjësisë nga pasagjeri dhe heqjen e çdo përgjegjësie ndaj AFH S.p.a. dhe për të gjithë personelin e saj.

EKSPLOZIVËT, LËNDËT E NDEZSHME DHE MATERIALET E RREZIKSHME: Është rreptësisht e ndaluar për Pasagjerin që të transportojë në bagazh ose në gjërat që ka në pronësi, të sistemuara në bordin e automjetit, mbetje industriale ose substanca shpërthyese dhe/ose të ndezshme ose të rrezikshme për sigurinë e anijes, të ngarkesës ose për sigurinë e Pasagjerëve të tjerë ose të anëtarëve të ekuipazhit. Në rast se verifikohet shkelja e urdhrit, Komandanti është i autorizuar të sekuestrojë dhe të shkatërrojë këto substanca dhe Pasagjeri nuk mund të pretendojë asnjë kompensim. Pasagjeri gjithashtu është i detyruar të mbajë përgjegjësi për rrjedhojat e shkeljes së këtij rregulli ndalues.

ARMËT: Pasagjerët në momentin e imbarkimit, janë të detyruar të dorëzojnë në ruajtje tek Komandanti të gjitha armët e ftohta dhe/ose armët e zjarrit që kanë në zotërim. Në rast se nuk respekton ligjin, shkelësit do t’i konfiskohen armët dhe do të denoncohet tek Autoritetet Gjyqësore përkatëse.

BAGAZHI: Në çmimin e biletës është e përfshirë kundërvlera e transportit të bagazhit deri në 75 kg për person: pasagjeri mund të marrë me vete në kabinë ose në vendin e caktuar bagazhin e dorës. Bagazhi që nuk i është dorëzuar transportuesit duhet të përmbajë ekskluzivisht sendet për përdorimin personal të Pasagjerit. Të gjithë objektet me vlerë, bizhuteri, para të thata, çeqe udhëtimi, etj, mund të depozitohen në kasetat përkatëse të sigurimit të anijes ose, në mungesë të tyre, mund të dorëzohen në një qese të mbyllur dhe të vulosur tek Komisari i Bordit i cili do të lëshojë një dëftesë për këtë qese (zarf), pa kontrolluar përmbajtjen. Në rast se verifikohet se brenda bagazhit, që nuk i është dorëzuar transportuesit, gjenden sende që nuk janë për përdorim personal, Pasagjeri detyrohet të paguajë trefishin e tarifës për transportimin e sendeve përveç dëmshpërblimit, për pagesën e dëmit. Gjithsesi nënkuptohet se është rënë dakord që edhe për bagazhet dhe sendet që nuk i janë dorëzuar transportuesit, përgjegjësia e vetë transportuesit është e kufizuar në shifrën maksimale që rezulton nga deklarata eventuale e shkruar e vlerës, që lëshohet nga Pasagjeri, me kusht që ky i fundit të ketë paguar qiranë më të lartë. Përndryshe do të aplikohet limiti i caktuar sipas nenit 412 të k.d.

HUMBJA DHE/OSE DËMTIMI I BAGAZHIT DHE SENDEVE PERSONALE OSE I AUTOMJETIT: Për humbjen dhe/ose dëmtimin e bagazhit, të sendeve personale ose të automjetit të Pasagjerit, duhet të lajmërohet Komanda e anijes ose agjentët dhe/ose Oficerët e Shoqërisë në portin e zbarkimit, nga Pasagjeri, i cili - për të mos humbur të drejtën - në momentin e dorëzimit të sendeve, kur bëhet fjalë për humbje e dëmtime që duken si të tilla, ose brenda tri ditëve pas dorëzimit, në rast se bëhet fjalë për humbje ose dëmtime jo të dukshme. Për bagazhet dhe objektet e pa dorëzuara nga Pasagjeri te transportuesi, ky i fundit nuk mban përgjegjësi për humbjen dhe/ose dëmtimet, përveç rastit kur Pasagjeri vërteton se sendet janë dëmtuar për shkaqe që fajësojnë vetë transportuesin. Megjithatë transportuesi nuk përgjigjet për dëmet dhe/ose dëmtimet e shkaktuara nga aktet e vandalizmit të palëve të treta.

SISTEMIMI: Pasagjeri do të zërë vendin e përcaktuar në biletë e në mungesë të tij, vendin që do t’i caktohet nga Komandanti ose nga Komisari i Bordit. Shoqëria, në rast nevoje objektive, ka tagër të ndryshojë vendin që i është caktuar Pasagjerit me një vend tjetër. Në rast se vendi i caktuar rezulton i tipit superior, nuk do t’i kërkohet diferenca e tarifës, kurse në rast se vendi i ri rezulton i tipit inferior, atëherë Pasagjerit do t’i rimbursohet diferenca e çmimit që është paguar më shumë, me përjashtim të rastit kur pasagjeri vendos të zgjidhë kontratën në përputhje me ligjin. Kabinat duhet të lirohen minimumi dy orë përpara mbërritjes në port.

QENTË DHE MACET: Transporti i kafshëve shtëpiake, për qentë dhe macet është falas. Qentë duhet të pajisen me turizë dhe të qëndrojnë të ruajtur në stelën e bordit. Macet duhet të transportohen në kafaz. Ushqimi duhet të sigurohet nga pronarët. Kafshët duhet të jenë të pajisura me certifikatë sanitare ndërkombëtare të vlefshme. Pasagjerët janë përgjegjës për çdo dëm të mundshëm që u shkaktohet sendeve ose personave të tretë nga kafshët e tyre. Transportuesi nuk përgjigjet e nuk ka asnjë përgjegjësi në rast konfiskimi ose eliminimi të kafshëve nga ana e Autoriteteve Sanitare në portin e zbarkimit/imbarkimit, si dhe për dëmtimet e kafshëve, për largimin e tyre, humbjen ose ngordhjen e kafshëve, që mund të vërtetohet gjatë trasportit ose gjatë imbarkimit dhe zbarkimit, me përjashtim të rastit kur mund të provohet faji dhe/ose neglizhenca e transportuesit. Pasagjeri në çdo rast duhet të sillet në mënyrë korrekte dhe të kujdesshme për të shmangur dhe/ose parandaluar të tilla probleme.

JURIDIKSIONI, LEGJISLACIONI I ZBATUESHËM DHE GJYKATA KOMPETENTE: Kontrata e transportit e cila disiplinohet nga këto Kushte të Përgjithshme i nënshtrohet juridiksionit italian dhe rregullohet nga ligji italian. Për çdo mosmarrëveshje në lidhje me vlefshmërinë, interpretimin, ekzekutimin, zgjidhjen dhe likuidimin e kontratës së transportit të disiplinuar nga këto Kushte të përgjithshme, sikurse për çdo aspekt dhe profil tjetër të lidhur me të, pasagjeri pranon kompetencën ekskluzive te Gjykatës së Ankonës.

INFORMATIVA PËR TË DHËNAT E PASAGJERËVE: Pasagjeri është i detyruar të japë informacionet e mëposhtme: emër, mbiemër, gjininë, moshën etj. Të gjithë Pasagjerët që presin të imbarkohen duhet të informojnë shoqërinë për informacionet e mundshme në lidhje me nevojat e tyre për kura të veçanta dhe/ose asistencën në situata emergjence. Pasagjerët që kanë nevojë për asistencë gjatë imbarkimit (personat me vështirësi lëvizore, etj.) duhet të paraqiten përpara afatit, në kohën e duhur përpara imbarkimit, duke ia bërë të ditura nevojat e tyre personelit të molos dhe/ose personelit në bord. Pasagjeri ka për detyrë të komunikojë ndryshimet e mundshme të të dhënave personale në qoftë se ato janë të ndryshme nga momenti i rezervimit dhe në momentin e imbarkimit. Të dhënat personale do të mblidhen në përputhje me dekretin D.L 251/99 në përmbushje të Direktivës 98/41 KEE të datës 18.06.98, me normativat në lidhje me aplikimin e kodit ISPS mbi normat e anti-terrorizmit, e në përputhje me dispozitat e D.L . 196/03.

Linjat Itali-Shqiperi

Tragetet

info booking adria ferries

E hene - E premte: 08:30 - 13:00
  14:30 - 19:00
   
E shtune: 09:00 - 13:00 

SHENIM! Kjo faqe  internet perdor cookies dhe teknologji te ngjashme. Nese nuk ndryshon parametrat te shfletuesit, persona pranon.